Një 30-vjeçar nga Shkodra, që ishte shpallur i zhdukur në maj, u gjet i vdekur në Spanjë. Miklovan Danajt u gjet i pajetë në bregun e Marbellës nga ana e policisë spanjolle që kanë nisur një hetim për rastin. Para pak kohësh, sipas mediave të gadishullit iberik, të afërmit e tij morën një telegram që konfirmonte vrasjen dhe i paralajmëronte të mos e kërkonin. Zhdukja e tij u raportua si në Spanjë, ashtu edhe në Shqipëri, ndërsa vendndodhja e 30-vjeçarit ishte e panjohur deri në momentin që u gjet në Marbella. Ka dyshime se Danaj ishte i përfshirë në trafikun e kokainës. I riu, i njohur edhe si “Keli”, dyshohet se kishte krijuar lidhje të forta në trafikun e drogës, duke u zhvendosur nga Pisa, Itali, në Marbella, Spanjë, ku menaxhonte dërgesa të kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Ai jetonte atje me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8-muajshe. Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për zhdukjen dhe vdekjen e tij, por deri tani nuk ka pasur arrestime dhe nuk janë dhënë detaje mbi rrethanat konkrete të vdekjes së tij.