Një 54-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar nga policia greke në pikën kufitare të Kakavijës. Operacioni u krye nga oficerët e Departamentit të Kontrollit të Pasaportave, në bashkëpunim me Nëndrejtorinë e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimeve të Janinës. Gjatë verifikimit të dokumenteve të udhëtimit, autoritetet konstatuan se ndaj shtetasit shqiptar ishte lëshuar një urdhër arresti evropian nga autoritetet italiane. Sipas informacionit zyrtar, urdhri lidhej me vepra të rënda penale, përfshirë vrasje dhe lëndime të rënda trupore. Pas arrestimit, shtetasi shqiptar u shoqërua menjëherë në prokurorinë kompetente, ku kanë nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Italisë.