Në Kuvendin e Kosovës u mbajtën këtë të premte homazhet në nderim të politikanit dhe ish-kryeparlamentarit të vendit, Nexhat Daci, i cili u nda nga jeta ditën e enjte. Homazhet u zhvilluan në prani të familjarëve, përfaqësuesve institucionalë, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve, të cilët nderuan të ndjerin në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në jetën institucionale dhe politike të vendit. Nexhat Daci ndërroi jetë në moshën 81 vjeçare. Ai ka luajtur një rol të madh në politikën e Kosovës, ku ka shërbyer si kryetar i Kuvendit e më pas edhe si president në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 2006.