Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi 4 gushtin, si ditë kur do të zhvillohen zgjedhjet në Himarë, megjithëse në vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve thuhej se shpallja e pavlefshëmrisë së mandatit të Fredi Belerit mund të ankimohej brenda 30 ditëve. Nisur nga deklaratat e opozitës se vendimi i KQZ, nuk mund të jetë i ekzekutueshëm pa kaluar afati i ankimit, duke i faturuar presidentit shkeljen e kushtetutës, Top Neës kontaktoi me institucionin e presidencës, lidhur me arsyet se pse nuk u respektuar afati që ligji garanton për ankimim. Në përgjigjen e mbërritur në redaksinë e Top Neës thuhet se nuk është presidenti organi që konstaton vakancën, por në momentin e njoftimit ka detyrimin të dekretojë zgjedhjet.