Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano zhvilloi një vizitë disaditore në Uashington, ku u takua me zyrtarë të lartë të agjencive ligjzbatuese në Amerikë. Në fokus të takimet që drejtuesi madhor i policisë shqiptare pati me forcat e rendit dhe homologët amerikanë, ishte rritja e bashkëpunimit për shkëmbim informacioni, hetime dhe operacione të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit, si dhe për të përforcuar marrëdhëniet e ngushta dhe bashkëpunuese midis Policisë së Shtetit shqiptar dhe qeverisë së SHBA-së.