Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.