Qarkullimi në aksin rrugor Librazhd-Përrenjas është përmirësuar pjesërisht, por rruga ende nuk është hapur plotësisht. Aktualisht, lëvizja e automjeteve kryhet me vështirësi, pasi një gur i madh vijon të pengojë kalimin normal. Në këto kushte, vetëm automjetet e vogla mund të shkëmbehen, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë, si maunet dhe furgonët, nuk mund të kalojnë, gjë që e bën qarkullimin jo normal dhe kërkon kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve. Një masiv dheu dhe gurësh u shkëput në vendin e quajtur Dragostunjë, duke bllokuar totalisht të dyja drejtimet e këtij segmenti rrugor të dielën. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar, pasi në momentin e shembjes nuk po kalonte asnjë automjet. Për pasojë, radha e automjeteve të bllokuara pas shembjes arriti në disa kilometra. Problematikat në këtë segment vijnë në një periudhë kur edhe rruga e re e Qafë Plloçës është përballur me shembje të herëpashershme, si pasojë e motit të keq. Autoritetet kanë apeluar që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes deri në një njoftim të dytë që sinjalizon hapjen e plotë të rrugës.