Emisioni investigativ “Inside Story” ka publikuar këtë javë vazhdimin e dosjes hetimore që hedh dritë mbi një nga aferat më të përfolura të viteve të fundit, grabitjen e trojeve në Gjirin e Lalzit dhe zonat përreth nga grupe të organizuara. Sipas dokumenteve të siguruara nga “Inside Story”, të cilat i referohen hetimeve të SPAK, dominues në këtë rrjet del të jetë Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi i Sukthit”, një personazh i përfolur prej vitesh për përfshirje në konflikte pronash dhe dhunë. Në dosjen hetimore, përmenden gjithashtu zyrtarë të administratës publike që dyshohet se kanë bashkëpunuar në falsifikimin e dokumenteve. Emisioni përmend një punonjës të ZRPP, të identifikuar si Mozi, dhe një tjetër me emrin Leo, të cilët dyshohet se kanë manipuluar regjistrat e pasurive të paluajtshme, madje duke ndërhyrë në arkivën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Tiranë. Hetimet tregojnë se janë zhdukur regjistra të pronësisë që datojnë që nga viti 1932, duke u hapur rrugë përvetësimeve të tokave me vlerë qindra milionë euro në Hamallaj, Rrushkull, Bizë e Kepin e Rodonit.