Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 45-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle. Sipas bluve, 45-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje nën kërcënimin e armës, në Spanjë. Në vitin 2025, autoritetet vendase i kanë caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Gjatë ndalimit, shërbimet e Policisë konstatuan gjithashtu se 45-vjeçari drejtonte një automjet tip “Benz” me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me autoritetet spanjolle për përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Spanjës.