Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, përshëndeti vendimin e Bashkimit Europian për heqjen e të gjitha sanksioneve ndaj Kosovës. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha tha se kjo është një arritje e rëndësishme për vendin, ndërsa nuk la pa sulmuar kryeministrin Edi Rama dhe presidenti nserb Aleksandër Vuçiç, që sipas tij, po mbajnë qëndrime armiqësore ndaj Kosovës. “Të dashur miq, Bashkimi Europian hoqi të gjitha sanksonet për Kosovën. Partia Demokratike përshëndet Kosovën për këtë arritje të re e të rëndësishme. PD shton se ky vendim është një goditje e rëndë dhe e merituar për dyshen famëzezë të Ballkanit Rama - Vuçiç dhe qëndrimet e tyre armiqësore ndaj Kosovës!”, shkroi Berisha. BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat kishin të bënin me pezullim të financimit dhe të takimeve dypalëshe midis zyrtarëve evropianë dhe përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës.