Garda Revolucionare Islamike në Iran njoftoi se kishte goditur me katër raketa balistike aeroplanmbajtësen amerikane Abraham Lincoln. Lajmi u dha përmes medias shtetërore iraniane, duke shtuar se nga sulmi aeroplanmbajtësja amerikane kishte pësuar dëme të mëdha, ndërsa shumë avionë luftarakë F35 që ajo mbante u shkatërruan. Por lajmi i iranianëve u përgënjeshtrua nga komanda qendrore amerikane e ushtrisë, që tha se aeroplanmbajtësja nuk është goditur nga asnjë raketë, as balistike, as jobalistike. ‘Raketa e lëshuara as që ishin afër Abraham Lincoln’, tha në deklaratë komanda qendrore e ushtrisë amerikane. Abraham Lincoln është aeroplanmbajtësja e pestë më e madhe amerikane dhe në bordin e saj ka edhe avionët F35, që janë në gjendje që të shmangin radarët armiq. Ndërkohë, SHBA ka konfirmuar se në 48 orët e para të luftës me Iranin ka humbur 3 ushtarë, pa specifikuar rolet e tyre. Mediat iraniane thonë se bëhet fjalë për pilotë të cilëve u janë goditur avionët nga sistemet antiajrore mbi Teheran.