Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përfunduar zyrtarisht paraqitjen e provave në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe ish-zyrtarëve të lartë Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Gjyqi nisi më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara në Hagë. Gjatë kësaj faze të procesit, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një numër të madh provash, përfshirë dëshmitë e 125 dëshmitarëve që kanë dëshmuar drejtpërdrejt në sallën e gjyqit. Gjithashtu, janë prezantuar rreth 3 mijë prova materiale në disa gjuhë dhe janë bërë mbi 1 mijë e 400 parashtresa ligjore të lidhura me çështjen.