Një person ka rënë në pranga dhe tre të tjerë janë proceduar penalisht nga Policia e Lezhës, pasi gërryenin në mënyrë të paligjshme shtratin e lumit Mat. I arrestuar është shoferi i ekskavatorit Artur Lika. Ndërkohë, janë proceduar penalisht drejtuesit e kamionëve, Shyqyri Shuaipi dhe Dashamir Zenelaj, banues në Tiranë, që transportonin me mjetet e tyre inertet e lumit; si dhe Aleksandër Uku, inspektor për Ujërat në Drejtorinë Rajonale të Mjedisit Lezhë. Ky I fundit akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka ushtruar kontrollin konform ligjit për inspektimin, monitorimin dhe kontrollin e subjekteve në shtratin e lumit Mat. Gjithashtu, nga ana e Polisë së Lezhës, është bllokuar ekskavatori, dy kamionët që transportonin inertet dhe një makinë private.