Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të G7-s [grupi i shtatë shteteve më të industrializuara të botës] janë pajtuar gjatë një takimi në Kanadanë perëndimore se Rusia mund të përballet me sanksione shtesë, nëse ajo i reziston një nisme për një armëpushim në luftën e saj në Ukrainë. Shefat e Financave të G7-s kanë dënuar “luftën brutale” të Rusisë nëpërmjet një komunikate dhe kanë thënë se nëse përpjekjet për të arritur një armëpushim dështojnë, ata do t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet e mundshme, përfshirë “një shtim të mëtejmë të sanksioneve”. Komunikata ka thënë, po ashtu, se asetet sovrane të Rusisë, që mbahen në juridiksionet e vendeve të G7-s, do të mbeten të ngrira derisa Moska t’i japë fund luftës dhe të paguajë për dëmet që ia ka shkaktuar Ukrainës.