Policia e Shijakut ka finalizuar operacionin e koduar ‘River’, duke sekuestruar 2 armë zjarri, 3 armë gjahu, municion luftarak, armë të ftohta, sende të kundërligjshme dhe 24 doza të lëndës narkotike Kokainë, 1 peshore elektronike dhe 6 celularë, brenda një banese. Në kuadër të operacionit, është vënë në pranga pronari i banesës 59-vjeçari Shkëlqim Varaku. Sipas policisë, ai I fshihte armët në shtëpi me qëllim shitjen. 59-vjeçari akuzohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Polici vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këto veprimtari kriminale. Sakaq, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.