Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me gjashtë muaj burg për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Dedja u dënua nga shkalla e parë me gjashtë muaj burgim të pezulluar në shërbim prove me kusht që për një vit ish-gjykatësi i Kushtetueses të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale. Vendimi në Apel u shpall nga trupa gjykuese e përbërë gjyqtaret Saida Dollani, Nertina Kosova dhe Miliana Muça. Bashkim Dedja u gjet fajtor për mosdeklarim, fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë. Ai ishte ish-gjyqtari i parë i shkarkuar nga vettingu për të cilin prokuroria e posaçme kërkoi dënim me burg për këtë akuzë.