Qyteti i Fierit është zgjuar këtë mëngjes i mbuluar nga një mjegull e dendur, e cila ka krijuar vështirësi të ndjeshme në qarkullimin e mjeteve. Në disa akse rrugore brenda qytetit, si edhe në hyrje-daljet kryesore, dukshmëria ka qenë e reduktuar ndjeshëm, duke detyruar drejtuesit e automjeteve të lëvizin me shpejtësi të ulët dhe të tregojnë kujdes të shtuar. Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të përdorin dritat e mjegullës dhe të shmangin parakalimet e rrezikshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.