Për një person që e quan veten një fanatik të transatlantizmit si kancelari gjerman Friedrich Merz, gjuha ka qenë jashtëzakonisht e drejtpërdrejtë. Kur Presidenti Donald Trump u kërkoi vendeve të bashkoheshin me një përpjekje globale kundër Iranit dhe të dërgonin anije për të hapur Ngushticën e Hormuzit, mbyllja e së cilës ka tronditur ekonominë globale, ai u refuzua nga disa nga aleatët më të ngushtë të Amerikës. Merz u tha ligjvënësve gjermanë të mërkurën se ishte dakord që Irani nuk duhej të lejohej të paraqiste kërcënime për fqinjët e tij, por shprehu dyshime rreth logjikës pas luftës së SHBA-së dhe Izraelit. "Deri më sot, nuk ka një plan bindës se si ky operacion mund të ketë sukses. Uashingtoni nuk është konsultuar me ne dhe nuk ka thënë se ndihma evropiane ishte e nevojshme", u tha ai ligjvënësve. "Ne do të kishim këshilluar kundër ndjekjes së këtij kursi veprimi që po shohim. Prandaj, ne kemi deklaruar se për sa kohë që lufta vazhdon, ne nuk do të marrim pjesë në sigurimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit me mjete ushtarake." Udhëheqësit evropianë kanë refuzuar përfshirjen e drejtpërdrejtë në operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, të kujdesshëm për të mos u përfshirë në një konflikt të paparashikueshëm, qëllimet e të cilit nuk i kuptojnë plotësisht dhe është jopopullor tek qytetarët e tyre. Duke vepruar kështu, ata po llogarisin se përfitimet e të qëndruarit mënjanë i tejkalojnë rreziqet e shumëfishta për lidhjet transatlantike që janë tashmë nën presion të rëndë për çdo gjë, nga lufta në Ukrainë deri te mosmarrëveshjet për tarifat. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ishte po aq i drejtpërdrejtë sa shefi i tij të hënën: "Kjo nuk është lufta jonë, ne nuk e kemi filluar atë". Duke i bërë jehonë qëndrimit të Gjermanisë, Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjithashtu: "Ne nuk jemi palë në konflikt". Evropianët kanë qenë prej kohësh të kujdesshëm që të mos e zemërojnë Trumpin i cili vec të tjerave ka vënë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e NATO-s. Ndërsa nuk dha asnjë shenjë se planifikon të ndëshkojë aleatët e NATO-s, Trump tha se ata kishin bërë një "gabim shumë të pamend" duke mos iu bashkuar SHBA-së në operacionet e saj ushtarake në Iran. Sondazhet e opinionit publik në evropë, tregojnë ndërkohë një shumicë dërrmuese që kundërshton luftën e Trumpit në Iran. Dhe të shumtë janë ata që theksojnë se Trump filloi si President paqeje, por po përfundon si president lufte.