Një operacion i policisë së Tiranës ka zbuluar shkelje të rënda financiare dhe shëndetësore në një spital privat në zonën e Zogut të Zi. Pas një hetimi disa mujor, u zbulua se ky spital kishte fshehur të ardhura mbi 1 milion euro gjatë viteve 2024-2025. Gjithashtu, aty janë gjetur ilaçe të dyshuara si të skaduara dhe të ndaluara për përdorim nga autoritetet. Sakaq brenda ambjenteve të spitalit punonin edhe persona të pasiguruar. Si rezultat i operacionit u arrestua administratori i spitalit, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëaksionerët, një shtetas turk dhe një shtetase shqiptare. Në total u sekuestruan 100 blloqe me fatura të pafiskalizuara, 27 lloje medikamentesh të dyshuara si të skaduara, si dhe 6 kompjuterë. Spitali u mbyll me urdhër të autoriteteve, ndërsa policia po punon për kapjen e dy të kërkuarve dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.