“Në këtë rast është thjesht dhe vetëm natyrore, fatkeqësi që ndodh për shkak të mbingarkesës. Ndjesë njerëzve që u mbytën me baltë dhe me llum.. por e vërteta është kjo.” Kryeministri Edi Rama inspektoi aksin rrugor Librazhd-Prrenjas që për 11 ditësh u bllokua për shkak të rrëshqitjes së dherave në segmentin Arrat e Gurrës. Rama e konsideroi izolimin disa ditor të juglindjes, rezultat të një fatkeqësie natyrore, dhe hodhi poshtë akuzat për korrupsion. “Plagë e hapur që ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshëm të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxheret me gjithfarë shpifjesh, akuzash e fantazish se me demek, u shemb rruga nga korrupsioni ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror. Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët na pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias. E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton.”