Klajdi Murrizi është ekstraduar nga Italia pas një operacioni të koordinuar nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. 31-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik", për të cilat ishte dënuar me 6 vjet burg. Veprimtaria kriminale e këtij shtetasi u hetua pas ngjarjes së vitit 2022, kur ai u kap nga policia gjatë përpjekjes për të dorëzuar një sasi lënde narkotike një shtetasi tjetër. Në momentin që ka vënë re praninë e policisë, ai ka hedhur lëndën narkotike dhe është larguar me shpejtësi me një automjet me targa të huaja, duke mos iu bindur urdhrit për të ndaluar. Gjykata e Apelit të Tiranës e shpalli fajtor dhe e dënoi Murrizin me 6 vjet burgim në vitin 2024. Pas ekstradimit, ai u dorëzua tek Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të vuajtur dënimin e tij.