Një ngjarje e rëndë është shënuar në Durrës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në ambientet e një shkolle të mesme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në palestrën e shkollës “Marie Kaçulini”. Sipas të dhënave paraprake nga policia, nxënësi teksa ndodhej në palestër, është ndjerë papritur keq dhe ka humbur ndjenjat. Menjëherë është njoftuar urgjenca dhe adoleshenti është transportuar me autoambulancë drejt spitalit, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë.