Inteligjenca ushtarake e Ukrainës thotë se ka kryer një operacion special që dëmtoi një luftanije ruse të ankoruar në enklavën e Kaliningradit në Detin Baltik, gjë që, nëse është e vërtetë, do të demonstronte aftësinë në rritje të Kievit për të goditur asetet e Kremlinit shumë përtej kufijve të tij. Në një postim në platformën X, inteligjenca ushtarake ukrainase tha se një zjarr në korvetën e armatosur me raketa Serpukhov, kishte shkatërruar plotësisht mjetet e saj të komunikimit dhe automatizimit. Ajo nuk dha sidoqoftë asnjë informacion për shkakun e zjarrit apo nëse është plagosur dikush. Ekspertët thonë se me shumë gjasa mund të jetë një sabotim nga brenda anijes. Mediat ukrainase raportuan se inteligjenca ushtarake e vendit qëndron pas sulmit, duke cituar burime të paidentifikuara.