Kosova e ka shpallur 3 korrikun ditë zie kombëtare në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare i cili ndërroi jetë të hënën e 1 korrikut. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.