Sipas udhëzimeve të kryeministrit Edi Rama filluan dorëheqjet dhe shkarkimet në bllok në bashkitë e vendit. Të parët që ju përgjigjën kërkesës së Ramës ishin funksionarët e bashkive juglindore. Pranë kryetarit të bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo paraqitën dorëheqjen gjashtë kryetarë të njësive administrative, por sipas burimeve ata do të qëndrojnë në detyrë derisa të emërohen pasardhësit e tyre. Dy nënkryetarëve të Korçës nuk ju kërkua largimi nga detyra, kështu që do të vijojnë të kryejnë funksionin e numrit dy të bashkisë. Po e njëjta situatë u paraqit edhe në bashkinë e Kolonjës, ku tre kryetarët e njësive administrative dorëzuan dorëheqjen nga detyra. Pritet që vala e largimeve nga pushteti vendor të vijojë edhe në bashkitë e tjera të qarkut, konkretisht në Maliq, Devoll dhe Pogradec. Në Kukës, duket se nuk ka pasur dakordësi për të dhënë dorëheqje. Pas analizës së punës, kryetari i kësaj bashkie vendosi të shkarkojë nga detyra 14 kryetarët e njësive vendore dhe 2 nënkryetarë të bashkisë.