Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë. Nga Kosova konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se ftesës së BE-së i është përgjigjur pozitivisht Banka Qendrore e Kosovës, pa dhënë emra se kush do të jetë pjesë e delegacionit. Sipas radios evropa e lirë me shumë gjasë, Kosova do të përfaqësohet në takim nga guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Ndërkaq, sipas medias serbe, Tanjug, në takim Serbinë do ta përfaqësojë kryenegociatori serb në dialogun Kosovë-Serbi, Petar Petkoviç.