Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, do të takohen sot në Bruksel për t’i vazhduar diskutimet për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë muajin e kaluar. Takimi i tyre, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, është vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm, ata pritet t’i diskutojnë propozimet e secilës palë. Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.