Ndryshimet në kabinetin qeveritar ‘Rama 4’ vetëm gjashtë muaj pas votimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë janë analizuar nga media gjermane Dojçe Vele si pasojë e një ndërthurjeje mes hetimeve të SPAK dhe presionit politik, të brendshëm dhe të jashtëm. Dojçe Vele thotë se largimi i Belinda Ballukut vjen pas një përplasjeje disamujore me organet e drejtësisë. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut, vendosi pezullimin e saj nga detyra në kuadër të një hetimi për procedura prokurimi publik.