Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se seanca gjyqësore në rastin e sulmit terrorist “Banjska” është anuluar. Në seancën e kësaj të hëne, ishte parashikuar dëgjimi i dëshmitarit të radhës nga Maqedonia e Veriut, përmes një lidhjeje me video. Sipas njoftimit të Gjykatës, anulimi është bërë pasi përmes e-mailit zyrtar nga Ministria e Drejtësisë së Republikës së Kosovës është informuar se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, konkretisht Gjykata e Shkupit, kanë bërë të ditur se nuk kanë mundësi të realizojnë lidhjen me video-konferencë për këtë datë, për shkak të mosfunksionalitetit të pajisjeve të nevojshme për dëgjimin e dëshmitarit. Gjykata ka bërë të ditur se për caktimin e datave të reja në këtë çështje penale palët do të njoftohen paraprakisht përmes ftesave zyrtare.