Gjykata Themelore e Prishtinës, ka zgjatur me 30 ditë masën e paraburgimit për shtetasin Hysri Selimi, i dyshuar për spiunazh. Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, Hysri Selimi dyshohet se deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, si i rekrutuar nga Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA), ka ndihmuar në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informatave që kanë të bëjnë me personat e radikalizuar dhe numrin e pjesëmarrjes së tyre në luftën në Siri, si dhe për zyrtarë të lartë të partive politike, dhe informacione rreth institucioneve të sigurisë në Kosovë.