200 milionë lekë janë shpenzuar në vitin 2025 vetëm për rimbursimin e shpenzimeve telefonike, karburantit dhe dietave të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Sipas analizës buxhetore të vitit që lamë pas, një pjesë e konsiderueshme e fondeve janë shpenzuar për udhëtimet jashtë vendit të deputetëve dhe stafit të tyre. Në total janë shpenzuar 60 milionë lekë për bileta avioni, hotele dhe dieta. Për shkarkimet e padrejta nga puna në vitin 2013-2014 janë paguar 14.5 milionë lekë. 23 milionë lekë ka kushtuar arredimi i zyrave, ku përfshihen tapete ceremoniale, ndriçues për sallat e komisioneve parlamentare, dhe arredimi i ambjente të komisioneve të reja, që u krijuan për herë të parë në shtator të 2025-ës. 49 milionë lekë janë shpenzuar për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike. Për pritjen dhe përcjelljen e delegacioneve zyrtare janë shpenzuar 8 milionë lekë, ndërkohë që deputetët që kanë marrë pjesë në komisionet hetimore apo dy komisionet e posaçme, janë paguar për honorare edhe 11 milionë lekë.