Kuvendi i Kosovës nuk mundi të miratojë të enjten një draft-rezolutë të propozuar nga opozita për uljen e çmimit të energjisë elektrike, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, abstenuan. Me 29 vota pro, asnjë kundër dhe 55 abstenime, draft-rezoluta nuk i mori votat e nevojshme. Kjo është hera e dytë që kjo draft-rezolutë, e propozuar nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dështon në Kuvend, pasi partia e kryeministrit Albin Kurti e kishte braktisur seancën e kaluar kur ajo pritej të hidhej në votim.