Banka e Shqipërisë thuajse dyfishoi blerjet e euros në treg në tre muajt e fundit të vitit të kaluar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021, si përpjekje për të normalizuar luhatjet në kursin e këmbimit të monedhës europiane. Sipas raportimit të Bankës Qendrore, nga tetori deri në dhjetor 2022 u blenë gati 46 milionë euro nga gati 26 milionë euro që u blenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Politikën agresive të blerjes së monedhës së përbashkët për të ndalur zhvlerësimin e saj përballë lekut, Banka e Shqipërisë e ka vijuar edhe në tre muajt e parë të këtij viti, ku vetëm më 20 prill bleu 16 milionë euro të tjera.