Opozitarizmi më i madhe ndaj ligjeve të propozuara në kuadër të paketës fiskale për vitin e ardhshëm, mazhorancës socialiste në Kuvend i erdhi nga brenda radhëve të saj. Deputeti Erion Braçe u përplas me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave gjatë prezantimit të paketës. Shqetësimi i parë i deputetit lidhej me skemën e rimbursimit të TVSh për fermerët, skemë që sipas tij dekurajon edhe më tej prodhimin vendas dhe favorizon importin. Shqetësimi i dytë me ‘Paqen fiskale’, ku Braçe tha se lë shteg për të përfituar biznese abuzuese, që kanë fshehur të ardhurat reale të tyre. Përveç debatit me përfaqësuesit e qeverisë, Braçe u përplas edhe me deputetin e partisë Mundësia, Agron Shehaj.