Zona përreth centralit bërthamor të Bushehrit në Iran është sulmuar për herë të katërt që nga nisja e luftës aktuale, teksa lajmi është bërë i ditur nga Organizata e Energjisë Atomike të Iranit. Teherani ka akuzuar drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për sulmin, ndërsa asnjë prej tyre nuk e ka konfirmuar zyrtarisht ngjarjen. Hetimet paraprake tregojnë se nuk ka dëme në pjesët kryesore të centralit dhe funksionimi i tij vijon normalisht. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se prania e sasive të mëdha të materialeve radioaktive e bën çdo goditje potencialisht shumë të rrezikshme, duke rritur frikën për një aksident të mundshëm bërthamor në rast dëmtimi serioz. Po ashtu, mediat vendase bëjnë me dije se një punonjës i uzinës ka humbur jetën gjatë sulmit. Bushehri, i vetmi central bërthamor operativ i Iranit, është ndërtuar me ndihmën e Rusisë. Moska ka nisur evakuimin e stafit të saj, ndërsa tensionet mbeten të larta që prej nisjes së konfliktit më 28 shkurt, pas dështimit të bisedimeve bërthamore SHBA-Iran në Gjenevë.