Qeveria ka vendosur denoncimin e një marrëveshje të firmosur nga ish kryeministri Sali Berisha në vitin 2007 me fondacionin gjerman Hanns-Seidel, që është dekretuar asokohe nga presidenti Bamir Topi. Marrëveshja parashikonte që ky fondacion do të kontribuonte në sektorin e administratës publike në Shqipëri, duke hartuar dhe zbatuar projekte për kualifikimin e nëpunësve civilë. Po ashtu në sektorin e ekonomisë përmes ofrimit të mundësive të trajnimit për punonjësit e ndërmarrjeve shtetërore. Dakordësia e mbërritur 18 vite më parë, parashikonte ndër të tjera edhe kontributin e këtij fondacioni në sektorin politik për të intensifikuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë, veçanërisht me Shtetin e Lirë të Bavarisë.