Katërmbëdhjetë persona janë vënë në pranga dhe nëntë të tjerë po hetohen në gjendje të lirë, pas protestës së zhvilluar nga Partia Demokratike. Sipas njoftimeve zyrtare, gjatë tubimit janë hedhur molotovë dhe fishekzjarre në drejtim të disa institucioneve, përfshirë Kryeministrinë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe zonën pranë Bankës së Shqipërisë, ku ndodhet edhe selia e Partisë Socialiste. Po ashtu, raportohet se si pasojë e përplasjeve, gjashtë efektivë policie kanë mbetur të lënduar dhe po marrin ndihmë mjekësore në spital. Mes të shoqëruarve nga policia ka pasur edhe të mitur, të cilët janë liruar pas përfundimit të procedurave përkatëse.