Presidenti amerikan, Joe Biden ka premtuar se do të vazhdojë mbështetja amerikane për Ukrainën, ndonëse fondet ushtarake për të janë përjashtuar nga një marrëveshje e minutit të fundit, që e ka shmangur mbylljen e Qeverisë amerikane. Ky vendim i përkohshëm, i miratuar për ta shmangur mbylljen, nuk përfshin ndihmë ushtarake për Kievin në vlerë të gjashtë miliardë dollarëve – prioritet i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Republikanët e linjës së ashpër e kundërshtojnë ndihmën e mëtejme ushtarake dhe kritikojnë qëndrimin e Bidenit ndaj luftës.