Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal po bashkëpunon me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, për të organizuar seancat e asambleve komunale, si dhe betimin solemn të kryetarëve, bëri të ditur kreu i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi. Betimi para kuvendit komunal, i kryetarit të zgjedhur të komunës është një procedurë solemne që shënon marrjen e detyrës. Krasniqi tha se shumë shpejt do të jepen të gjitha informacionet se kur dhe ku do të mbahen seancat e asambleve komunale në komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.