Shqipëria ka hyrë në ditën e gjashtë të përmbytjeve që kanë goditur ultësirën perëndimore të vendit, ku epiqendra e tyre vijon të mbetet qyteti i Durrësit dhe zonat përreth tij. Reshjet e pasdites së të shtunës dhe natës mes të shtunës dhe të dielës përkeqësuan situatën dhe rikthyen ujin në disa zona ku ai ishte tërhequr gjatë së shtunës. Problematika më e madhe në Durrës vijon të mbetet në zonën e ish Kënetës, në Sukth, Hamallaj dhe Katund të Ri.