Edhe në Durrës, besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin, festën që simbolizon dashurinë dhe devotshmërinë e njeriut ndaj Zotit. Që në orët e para të mëngjesit, ata i janë drejtuar Xhamisë së Madhe në qendër të qytetit, por edhe në xhami të tjera pranë vendbanimeve të tyre, për të kryer faljen e kësaj dite të shenjtë. Pas faljes, besimtarët kanë shkëmbyer urime dhe përqafime, duke shkëmbyer mesazhe dashurie, paqeje dhe solidariteti. Më pas janë shpërndarë për të vijuar festën në familjet e tyre dhe për të ndarë gëzimin me të afërmit.