Sali Berisha foli për protestën e banorëve të Baks-Rrjollit në Velipojë, që prej javësh tashmë kundërshtojnë ndërtimin e një resorti nga biznesmeni, Bashkim Ulaj me arsyetimin se resorti ngrihet mbi pronat e grabitura prej tyre. Nën presionin e pyetjeve nga gazetarët në konferencën e kësaj të hëne, kreu i Partisë Demokratike tha se PD është në krah të banorëve, ndërsa për grabitjen e pronave nuk fajësoi biznesmenin, por qeverinë, që sipas tij i ka dhënë leje Bashkim Ulajt për ndërtimin e resortit.