Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë (NJRSh), ka realizuar një aksion bastisjeje në një banesë në Mitrovicën e Jugut, ku janë sekuestruar armë, municion dhe substanca të dyshuara narkotike. Autoritetet kanë vënë në pranga edhe një shtetas, me akuzën ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Posedim i substancave narkotike’. Policia sqaron se aksioni, u realizua pas dyshimeve për posedim të paligjshëm të armëve, në një shtëpi dhe objekte në Mitrovicën e Jugut. Gjatë bastisjes Policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë të gjatë e modifikuar, një karikator, 25 fishekë, një granatë dore, një gëzhojë, si dhe një peshore dhe rreth 9 gram substancë e dyshuar narkotike. Sipas Policisë, ndaj të arrestuarit është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve, ndërsa hetimet vijojnë.