Procesi gjyqësor ndaj 45 personave të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë nisi me shtyrje. Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi datën 9 tetor për mbajtjen e seancës, pas kërkesës së avokatëve të tre personave të arrestuar për kohë për t’u njohur me dosjen. Avokatët ngritën pretendime se dosja u është dorëzuar përmes kanaleve elektronike vetëm ditën e hënë dhe jo fizikisht. Prokuroria kërkoi vijimin e seancës duke hedhur poshtë pretendimin e avokatëve me arsyetimin se ata mund ta kishin printuar vetë dosjen. Megjithatë, avokatët e tre serbëve, të vetmit të arrestuar deri më tani, thanë se dosja ishte voluminoze dhe nuk kishin pasur kohë të njiheshin me përmbajtjen e saj. Në përfundim, gjyqtari i çështjes vendosi shtyrjen.