Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua këtë të hënë seanca e radhës gjyqësore në lidhje me pronat e sekuestruara të Ervis Martinajt. Në këtë seancë foli para gjykatës edhe Mustafa Martinaj, babai i të shumëkërkuarit nga drejtësia, por që rezulton i zhdukur prej gushtit të vitit 2022. Mustafa Martinaj ka deklaruar se djali i tij është ekzekutuar në Durrës, teksa akuzoi autoritetet se nuk duan të hetojnë vrasjen e tij. Ai u shpreh para gjykatës se nuk është i interesuar për hakmarrje, se është invalid dhe se nuk ka mundësi për një gjë të tillë. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur prej gushtit 2022. Për herë të fundit ai është parë nga kamerat e sigurisë të një hoteli në qytetin e Durrësit, teksa familja ka kërkuar shpalljen e tij si të zhdukur. Martinaj u shpall në kërkim nga policia në maj 2022, pasi u përmend nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, si organizator dhe porositës i vrasjes së Indrit Dokles, por edhe si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal. Gjykata e Posaçme ka vendosur në sekuestro 34 pasuri të tij dhe të familjarëve. Sipas Gjykatës, ka dyshime të arsyeshme se këto pasuri janë vendosur nga veprimtari e jashtëligjshme e kryer nga Martinaj. Pasuritë që gjykata ka miratuar për sekuestro janë biznese, toka, prona, makina, apartamente dhe llogari bankare, që figurojnë me emrin e Martinajt dhe familjarëve të tij.