Të hënën në Gjykatën e Apelit do të rikthehet Gjon Shkambi, por kësaj radhe si person që kërkon t’i hiqet masa e sigurisë e vendosur nga shkalla e parë, pasi akuzohet se bashkë me nipin e tij Elvisin vranë gjyqtarin Astrit Kalaja. Sipas të dhënave seanca është caktuar në orën 10.00 me gjyqtar relator Gent Shala. Autori Elvis Shkambi nuk ka ankimuar vendimin e shkallës së parë duke u pajtuar më masën arrest burg pa afat. Ndërkohë mësohet se bashkë me Gjon Shkambin apeli do të shqyrtojë edhe ankimimin e bërë nga Banush Goxhaj ky i fundit punonjës sigurie në Gjykatën e Apelit, i akuzuar për shpërdorim detyre.