Pas raportimeve, se disa nga të dyshuarit për sulmin në Banjskë, janë parë në protestë, të shtunën e kaluar në Beograd, Bashkimi Europian ka reaguar I shqetësuar. Autoritetet zyrtare në Prishtinë kanë bërë të ditur se disa nga personat e akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin në Banjskë janë parë më 28 qershor, duke marrë pjesë si roje sigurie para Presidencës serbe gjatë protestave të studentëve. Zyrtarët e Brukselit shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e progresit në llogaridhënien për sulmin e shtatorit 2023, duke theksuar se autoritetet e Beogradit po vonojnë në ndjekjen penale të përgjegjësve.