Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi nën dyshimin për krime lufte ndaj civilëve në komunën e Gjilanit. Sipas Prokurorisë, shtetasi me iniciale D.N, gjatë periudhës mars-prill 1999, si komandant i nënstacionit në Zhegër të Gjilanit, “nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjet e 29 e civilëve shqiptarë”. Në aktakuzë, thuhet se personi ishte në dijeni që më 30 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë. "I pandehuri së bashku me komandantin e stacionit të Policisë në Gjilan, kishin urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimit”, thotë Prokuroria.