Policia e Vlorës ka arrestuar një 37-vjeçar, pasi gjatë kontrolleve të policisë i janë gjetur doza kokaine në banesë. Glerdis Kofinaj mbante të fshehura në banesë doza lënde narkotike kokainë, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një armë gjahu pa leje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Personi i vënë në pranga rezulton me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje. Rasti ka kaluar për shqyrtim tek prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë.