Janë bërë të ditura detajen që çuan në marrëveshjen dyjavore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas mediave ndërkombëtare, vendimtare rezultoi ndërhyrja e udhëheqjes iraniane, ku Mojtaba Khamenei dha sinjalin final për të ecur drejt kompromisit, duke i hapur rrugë marrëveshjes. Në prapaskenë, situata ishte pranë përshkallëzimit të plotë. Pentagoni po përgatiste një fushatë të gjerë bombardimesh ndaj objektivave iraniane, ndërsa në rajon pritej një kundërpërgjigje nga Teherani. Një zyrtar amerikan e përshkroi klimën si kaotike, me rrezik real për përhapje të konfliktit. Negociatat arritën pikën kulmore kur i dërguari amerikan Steve Witkoff refuzoi një propozim iranian, duke e cilësuar si katastrofë. Pas ndërmjetësimeve nga Pakistani, Egjipti dhe Turqia, si dhe rolit kyç të ministrit të Jashtëm iranian dhe presionit diplomatik nga Kina, palët ranë dakord për një draft kompromisi. Marrëveshja u finalizua vetëm pas paralajmërimeve të forta nga presidenti Donald Trump dhe koordinimit me aleatët, përfshirë Izraelin dhe Pakistanin. Irani konfirmoi se do të respektojë armëpushimin dhe do të lejojë kalimin në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa e ardhmja mbetet e pasigurt, me negociata të tjera që pritet të fokusohen te programi bërthamor dhe kapacitetet raketore.